
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka komentuar në Twitter deklaratën e raportueses së Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, e cila ka thënë se duhet të hiqen bllokadat e serbëve në veri të Kosovës dhe se njoftimi për hyrjen e ushtarëve serbë në Kosovë është i papranueshëm.
Brnabiç ka shkruar se Von Cramon po sillet si Sekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe komandanti i KFOR-it dhe se është mjeshtre e heshtjes vetëm kur duhet të ngrihet në mbrojtje të serbëve.
“Më në fund, njoftimi i shumëpritur nga sekretarja e rreme e OKB-së Viola von Cramon, e cila gjithashtu ka marrë rolin e Komandantit të Përgjithshëm të KFOR-it, ekspertit të përgjithshëm për gjithçka, nga litiumi deri te Europride dhe kryembrojtësja e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut (duke përjashtuar serbët). Mjeshtre e heshtjes kur Albin Kurti emëron Nenad Rashiçin, njeriun që fitoi 0.2 për qind të votave në zgjedhje, 30 herë më pak se përfaqësuesi i Listës Serbe, për ministër për komunitete dhe kthim për të përfaqësuar serbët në Kosovë. Mjeshtre e heshtjes ishte kur Gavrilo Milosavljeviç u arrestua pa shpjegim 10 ditë më parë (2 dhjetor) kur kishte shkuar për të denoncuar pronën e konfiskuar në komunën e Istokut. Mjeshtër i meditimit kur gjashtë ditë më parë policia e Kosovës pushtoi me forcë Zubin Potokun dhe më pas Mitrovicën e Kosovës – në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen e Brukselit.”, shkroi Brnabiç.
(BalkanWeb)