
Një rast skandaloz ka ndodhur së fundmi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Pakujdesia e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçen e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur, e cila u nxor copa-copa nga lavatriçja.
Përkundër insistimit të stafit spitalor që ky rast i tmerrshëm të mbahet fshehur, familjarët kanë njoftuar policinë.
Se si ka ndodhur i gjithë rasti, rrëfen babai i foshnjës. Ai mes lotësh tregon se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.
Babai i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që Spitali refuzoi ta nxjerrë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë.
Babai nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Ai me sytë e tij pa copëzat e mbetura nga trupi i pajetë i foshnjës së tij, pasi mes çarçafësh u nxor nga lavatriçja e Spitalit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se po kryhen hetime nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati i Shëndetësisë.
“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorёt e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit dhe inspektorёt e shёndetёsisё” thuhet në përgjigjen e Policisë për IndeksOnline.
Burime të IndeksOnline brenda Spitalit të Pejës thonë se Spitali po mundohet me çdo kusht që të fshehë rastin, duke bërë presion tek personeli, që të mos dalë asnjë informatë. Madje, ata po tentojnë që tërë fajin ta bartin në supet e stafit të pastrimit, për të lënë të pastër emrin e stafit mjekësor të Gjinekologjisë.
IndeksOnline ka kontaktuar së pari drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, z. Fazli Shala, i cili ka qenë i paqasshëm.
Nga ana tjetër, nga Spitali është deklaruar vetëm ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta, Selman Kelmendi.
Ai thotë se ka persona të pezulluar sa i përket këtij rasti, i cili po vazhdon të hetohet nga Inspektorati, Policia dhe Prokuroria./IndeksOnline/