
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Në reagim thuhet se nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës rreth këtij pretendimi.
“Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas Ministrisë së Jashtme, çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen me dialog dhe jo me misione destruktive mediale.
“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, bëhet e ditur tutje.
Presidenti Vuçiç ka deklaruar të mërkurën se Serbinë e presin sfida të vështira lidhur me Kosovën, ndërsa ka theksuar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.
(BalkanWeb)