Rifillon qarkullimi i mjeteve në veri të Kosovës, hapen dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak

Dy pikë-kalimet kufitare, një në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur sot për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave në veri të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Njoftimi i policisë:

Në veri të vendit largohen barrikadat dhe lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak
Prishtinë, më 30 dhjetor 2022
Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situaatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.
Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *