
Qindra nacionalistë serbë janë mbledhur dje në Beograd duke i bërë thirrje presidentit Aleksandër Vuçiç të refuzojë planin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe tërheqjen nga negociatat.
Me pankartat “Po tradhtohet Rusisa!”, ata bllokuan trafikun pranë një ndërtese presidenciale serbe në qendër të Beogradit.
Mediat serbe kanë raportuar se një grup shtyu gardhe metalike drejt hyrjes në fund të tubimit, por u pengua nga policia.
Protesta vjen mes përpjekjeve të zyrtarëve të SHBA dhe Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar një zgjidhje për mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës. Theksojmë se Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Serbia është mbështetur tek Rusia dhe Kina në refuzimin e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën Uashingtoni dhe shumica e vendeve të BE-së e mbështesin.
Zyrtarët perëndimorë kanë frikë se Moska mund të përdorë tensionet në Kosovë për të destabilizuar Ballkanin dhe për të larguar vëmendjen nga pushtimi i saj në Ukrainë.
Më herët, Vuçiç ka thënë se ishte i gatshëm të merrte në konsideratë planin perëndimor. Dispozitat e tij nuk janë publikuar, por thuhet se përcakton se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.
Studentët kosovarë janë kundërpërgjigjur po të njëjtën ditë, duke protestuar në mënyrë paqësore kundër marrëveshjes së propozuar me Serbinë.
Në Serbi, grupet pro-ruse të krahut të djathtë kanë kërkuar që Beogradi të ndalojë të gjitha negociatat për Kosovën, por Vuçiç ka thënë se kjo do të nënkuptonte fundin e integrimit të Serbisë në BE dhe izolimin ndërkombëtar.
(BalkanWeb)