Pak çaste para tragjedisë: Pamjet e helikopterit ku humbi jetën Ministri i Brendshëm ukrainas

Helikopteri bie mbi një çerdhe fëmijësh. 14 viktima në total

Këto mbetje janë të helikopterit që ra mëngjesin e sotëm në periferi të Kievit, me të cilin udhëtonin ministri i brendshëm ukrainas Denis Monastirski, zëvendësi i tij, sekretari i shtetit dhe 6 pjesëtarë të tjerë të ministrisë që ai drejtonte.

Monastirski është mes 14 viktimave që shkaktoi rënia e helikopterit mbi një çerdhe fëmijësh, duke vrarë edhe 1 të mitur. Autoritetet korrigjuan shifrat pasi në fillim raportuan për 18 viktima. 29 të tjerë u plagosën nga të cilët 15 fëmijë.

Tragjedia ndodhi në lagjen periferike lindore Brovari, në rrethana ende të paqarta.

Helikopteri i emergjencave civile që duket në këto filmime pak minuta para aksidentit, ishte nisur nga Kievi drejt zonave të luftës me rusët në lindje të Ukrainës. Shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta, por deri tani askush nuk ka fajësuar rusët. Kreu i shërbimit sekret ukrainas tha se po hetohen të gjitha pistat, nga sabotimi, defekti teknik apo shkelja e rregullave të fluturimit.

42-vjeçari Monastirski, i shquar për daljet publike për të njoftuar bilancet e luftës, është deri tani zyrtari më i lartë që ka humbur jetën që prej nisjes së sulmit rus në Ukrainë që po mbush 1 vit. Në vend të tij presidenti Zelenski emëroi kreun e policisë.

Tv Klan

The post Pak çaste para tragjedisë: Pamjet e helikopterit ku humbi jetën Ministri i Brendshëm ukrainas appeared first on Tv Klan.