
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e pranon në parim planin franko-gjerman, por ende ka pika të cilat duhen negociuar me Serbinë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, kreu i qeverisë së Kosovës thekson se kjo marrëveshje ndikon në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kjo nuk do të thotë njohje reciproke.
“Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë. Nuk është i menduat si një propozim si marrëveshje finale. Por është një normalizim, por që parasheh njohjen de-facto, e kemi aty. Pa dyshim që është një njohje. Nuk është finale, është një marrëveshje bazike me marrëveshje e obligueshme”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe në lidhje me “Ballkanin e Hapur”.
“Me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nuk mund të ketë Ballkan të hapur pro serb dhe pro rus. Serbia dëshiron që Ballkani të jetë i hapur për Rusinë dhe Kinën siç është dhe vetë e hapur për fuqitë e lindjes dhe veri-lindjes.
Në procesin e Berlinit kemi platformën e bashkëpunimit rajonal nuk ka nevojë për dyzime të tjera. Le të shohim në këtë Ballkanin e hapur sa e mbyllur është Serbia për shqiptarët në Preshevë, Medvegj dhe Bujanovc. Le të hapet Serbia si shtet kinse demokratik për shqiptarët ashtu mund të kontribuojë në Ballkanin e hapur evropian dhe demokratik”, tha ai.
(BalkanWeb)