
Shtimi i tensioneve në veri të Kosovës dhe bllokimi i rrugëve me barrikada për rreth 20 ditë, i është faturuar shpesh ndërhyrjes së Rusisë në rajon, referuar edhe faktit që Serbia është një nga të vetmet shtete ballkanike që nuk harmonizon politikën e jashtme me BE, në lidhje me sanksionet ndaj Moskës si pasojë e nisjes së agresionit ushtarak në Ukrainë.
Në lidhje me këtë, nuk kanë munguar edhe deklaratat e shumta nga Moska në mbështetje të Serbisë.
Ditën e sotme, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka folur edhe një herë për situatën në Kosovë, duke thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme përderisa injorohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ajo u shpreh se kjo zbutje tensionesh, e arritur me ndërmjetësimin e perëndimit, nuk mund të jetë e qëndrueshme, përderisa injorohen çështjet e rëndësishme për popullin serb.
“Kompromisi i arritur nën garancionet e perëndimit vështirë se mund të jetë i qëndrueshëm. Çështja kruciale e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, që duhet të jetë një instrument efektiv për realizimin e të drejtave të serbëve në kushtet e një përndjekjeje sistematike mbi baza etnike, është injoruar”, ka thënë Zakharova, raporton TASS.
Ndërkohë marrëdhënia e mirë mes Beogradit e Moskës nuk kufizohet vetëm me deklarata mbështetëse, ministri serb Ivica Daçiç ka takuar sot ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko të cilin e ka informuar lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë.
Siç raportojnë mediat serbe, Daçiç e ka falënderuar ambasadorin rus për mbështetjen dhënë Serbisë.
(BalkanWeb)