Debate në Kuvendin e Kosovës/ “Marrëveshje me vlera universale”, Kurti pranoi planin franko-gjerman, Krasniqi e akuzon për mungesë transparence

Është zhvilluar këtë të enjte seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Gjatë fjalës së tij kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar se ka pranuar propozim franko-gjerman, pasi sipas tij përmes këtij propozimi arrihet një marrëveshje bazë me Serbinë që është e dobishme me Kosovën.

Në kuvend nuk kanë munguar debatet, pasi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi akuzoi Kurtin për mungesë guximi për të të bërë transparencë lidhur më këtë çështje.

Ai tha se njoftimi për pranimin e një propozimi të tillë duhet të ishte bërë në Kuvendin e Kosovës dhe jo në restorant.

“Duhet ta kuptojmë një gjë, nuk është e mundshme që emisarët evropianë të vijnë nga Brukseli, Parisi e Berlini e të na sjellin marrëveshjen finale. Sepse kjo do shumë proces negociator të thellë e të gjatë. Emisarët evropianë nuk na ka sjell një dokument në stilin merre ose leje, ndaj nuk kanë mundur të na sjellin propozimin për marrëveshje finale. E kanë sjell propozimin për një marrëveshje bazë”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar më tej  u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa njohje reciproke.

“E dyta, ne sot kemi mosnjohje reciproke me Serbinë. Ajo që na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke s’mund të ketë. Nëse mund të thoshim diçka për atë propozimin që na është ofruar, aty paragrafët që merren janë paragrafë që i referohen njohjes. Nuk janë as vetëm dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtë. Ne në këtë kuptim jemi njëmend në fillim të fillimit. Ajo që kam thënë që nga fillimi është se ky propozim është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Shtrohet pyetja pse unë besoj se është bazë e mirë? Deri sot Kosova nuk ka pasur propozim në të cilën janë konceptet evropiane dhe demokratike me vlerë universale. 10 vjet bisedime në Bruksel kanë qenë përbrenda asaj që mund ta quajmë ideologjia e zgjedhjes së problemeve. Unë konsideroj se një marrëveshje bazë e cila i ka vlerat universale brenda është edhe e drejtë edhe e dobishme për Kosovën”, ka thënë Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *